Presidenti i vendit, Hashim Thaçi në 21 vjetorin e çlirimit ka bërë homazhe te shtatorja e heroit Zahir Pajaziti, ndërsa theksoi se tani mbetet që të punohet në etapën e tretë të pas pavarësisë, atë të integrimit në Bashkimin Evropian dhe të anëtarësimit në NATO, si dhe të kultivimit të vazhdueshëm të raporteve speciale me SHBA-të.
Thaçi tha se përmes këtij nderimi te shtatorja e Zahir Pajazitit, ndër komandantët e parë të UÇK-së, po dërgon mesazhin e respektit shtetëror për të gjithë heronjtë, luftëtarët, invalidët e luftës, familjet e dëshmorëve.
“…Po nderojmë sakrificën e gjithë qytetarëve të vendit, që në një formë ose tjetër, me pushkë në dorë e me rezistencë civile kontribuuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, tha ai, raporton Telegrafi.
Presidenti i vendit theksoi se këto janë ditë heroike, historike e shumë të rëndësishme sepse pa luftën e UÇK-së pa sakrificën e qytetarëve nuk do të lëvizte as bota.
“Rezistenca jonë e drejtë, sakrifica e madhe që u tregua në fushëbeteja dhe kauza e drejtë bëri që të kemi krah nesh edhe aleatët, SHBA, BE dhe NATO. Ishte një sukses i përbashkët, i papërsëritshëm deri më tani dhe Kosova ishte e bekuar që kishte në krah SHBA-të, BE-në dhe NATO-n dhe e bekuar që kishte unitet të pathyeshëm të rezistencës së qytetarëve dhe komit shqiptar…”, tha ai.
Presidenti theksoi se tani mbetet të punohet në etapën e tretë të pas pavarësisë, integrimit në NATO dhe BE dhe kultivimit të vazhdueshëm të raporteve speciale me SHBA-të.
Sipas tij, Kosova ka të ardhme të sigurt dhe askush nuk mund ta frenoj pavarësisht pengesave që mund të paraqiten në rrugëtimin zhvillimor dhe euro-atlantik. /Telegrafi/