Presidenti Hashim Thaçi po akuzon BE-në se ka mungesë të lidershipit dhe të vizionit për Kosovën. Sipas Thaçit, deklarimet e fundit të komisionarit evropian për Zgjerim, Johanes Hahn, janë të nxitura nga Serbia
Hahn së fundi cilësoi se disa deklarata të presidentit Thaçi dhe kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama për “Shqipërinë e Madhe” nuk mund t’i bëjnë presion BE-së.
Thaçi ka reaguar duke thënë se “Komisionari Hahn i prekur nga shqetësimet e Serbisë paska shprehur zhgënjimin e tij për deklaratat që gjoja përfshijnë tendencat për krijimin e ‘Shqipërisë së Madhe’. Për më tepër, ai paska shtuar se BE-së nuk mund t’i bëhet presion me deklarata të tilla, shkruan Zëri.
Fatkeqësisht, një deklaratë e tillë e një komisionari të BE-së dëshmon saktësisht atë që e kam thënë shumë herë deri më tash se BE-ja ka mungesë të lidershipit dhe të vizionit për konkretizimin e perspektivës evropiane për Kosovën”. Kjo qasje sipas Thaçit dëshmon se BE-së, në rastin më të mirë, nuk i bëhet vonë kurrë për Kosovën. “Ndërsa, në rastin më të keq, as që do t’ia dijë fare. Diskriminimi dhe izolimi i qytetarëve tanë sot flet shumë më tepër se deklaratat monotone të disa zyrtarëve të BE-së që përsëriten që nga viti 2000”, ka deklaruar presidenti i Kosovës.
Ai ka ripërsëritur se projekti i “Shqipërisë së Madhe” është produkt i propagandës së Serbisë për ta realizuar projektin e “Serbisë së Madhe”, i cili tashmë pothuajse funksionon nën hundën e BE-së. “Nuk ka ‘Shqipëri të Madhe apo të Vogël’, por ka vetëm Shqipëri dhe vetëm Kosovë. Dhe do të ishte mirë që edhe BE-ja ta pranojë këtë realitet dhe të fillojë ta trajtojë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran”, ka thënë Thaçi