Telegrafi

Thaçi: Gjendja me COVID-19 është shqetësuese, zbatoni masat mbrojtëse

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka reaguar pas rritjes drastike të të infektuarve me coronavirus, duke thënë se gjendja aktuale është tejet shqetësuese dhe kërkon kujdes maksimal nga të gjithë.

Thaçi, në një postim në Facebook, ka thënë se “në javën e fundit kishim rritje të madhe të numrit të të prekurve me virusin COVID-19”.

“Ju bëj thirrje që t’i zbatoni në mënyrë rigoroze masat për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19 dhe t’i respektoni rekomandimet e institucioneve shëndetësore. Duke i zbatuar masat dhe rekomandimet e institucioneve shëndetësore secili qytetar ruan veten, të afërmit e tij dhe gjithë shoqërinë”, ka shkruar Thaçi.

Postimi i plotë i Thaçit:

“Qytetarë të dashur,

Në javën e fundit kishim rritje të madhe të numrit të të prekurve me virusin COVID-19. Gjendja aktuale është tejet shqetësuese dhe kërkohet kujdes maksimal nga të gjithë.

Ju bëj thirrje që t’i zbatoni në mënyrë rigoroze masat për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19 dhe t’i respektoni rekomandimet e institucioneve shëndetësore. Duke i zbatuar masat dhe rekomandimet e institucioneve shëndetësore secili qytetar ruan veten, të afërmit e tij dhe gjithë shoqërinë.

Si president i vendit shpreh falënderim të madh për gjithë personelin shëndetësor, i cili po e jep maksimumin në këtë betejë të përditshme për ta shpëtuar çdo jetë njeriu. Po ashtu, u shpreh ngushëllime të sinqerta të gjitha familjeve që kanë humbur të afërmit e tyre nga ky virus vdekjeprurës”, ka shkruar Thaçi.

Edhe Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka bërë apel tek qytetarët që të respektojnë masat mbrojtëse ndaj COVID-19, në mënyrë që të mos imponohet shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme.

Zemaj, në një postim në Facebook, ka thënë  se i dhemb shpirti ta shoh Kosovën e mbyllur pasi virusi rëndon gjendjen e popullatës, rrezikon shëndetin, shqetëson secilin, çrregullon ekonominë dhe çmimet e ushqimeve, humbje të vendeve të punës, rrit varfërinë.

Nëdërsa, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti sot ka zhvilluar një takim virtual me kryetarët e komunave të Kosovës, për të vlerësuar gjendjen pas rritjes së numrit të të infektuarve dhe viktimave nga COVID-19.

Hoti tha se ka njoftuar kryetarët e komunave që me këtë trend të rritjes së numrit të rasteve të reja, duhet të konsiderohet shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme. /Telegrafi/