Site icon Telegrafi

Thaçi fton spektrin politik të bashkohen rreth dialogut Kosovë-Serbi

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në një konferencë për media u ka bërë thirrje të gjitha partive politike, shoqërisë civile që t’i bashkohen procesit të dialogut me Serbinë.

Thaçi ka thënë se duhet të punojnë bashkë që brenda një periudhe të shkurtër të përmbyllet procesi i bisedimeve Kosovë-Serbi.

“I bëj ftesë gjithë skenës politike të Kosovës, gjithë shoqërisë civile, medieve që të punojmë bashkë në një qëndrim, që brenda një periudhe të shkurt kohore të përmbyllim procesin e bisedimeve në mes Kosovës dhe Serbisë. Së bashku me akterët tanë, arritëm në një fazë të progresit ku jemi. Jemi njohur nga 116 shtete të botës dhe jemi anëtarësuar në shumë organizata ndërkombëtare, por kjo nuk është e mjaftueshme pasi duam të lëvizim të lirë”, ka thënë ai.

Thaçi gjithashtu tha se rrugëtimi për të ardhmen euroatlantike duhet të jetë i suksesshëm, duke përmbyllur proceset siç kanë vepruar me Maqedoninë, Malin e Zi e tash dhe me Serbinë.

Ai tregoi se ka zhvilluar takimet me liderët e vendeve të rajonit, duke potencuar se zërat që thonë që marrëveshja me Serbinë do të destabilizonte rajonin janë të pavërteta. /Telegrafi/

Exit mobile version