Site icon Telegrafi

Thaçi: FSK-ja është shëmbëlltyrë e shtetit tonë

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi me rastin e 27 Nëntorit, Ditës së Forcës ka uruar të gjitha pjesëtarët e FSK-së, duke e vlerësuar shëmbëlltyrë të shtetit.

Thaçi thekson se secili qytetar i Kosovës mburret me të arriturat e FSK-së.

Lexoni të plotë deklaratën e Thaçit:

“Në Ditën e Forcës, 27 Nëntor, i urojmë të gjithë pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës për punën e tyre, për profesionalizmin dhe përkushtimin e dëshmuar për të dhënë më të mirën, duke u shërbyer qytetarëve të Kosovës, pa dallim përkatësie apo rajoni.

Forca e Sigurisë së Kosovës është kthyer në një forcë të standardeve të NATO-s, me pjesëtarë që shkollohen e trajnohen dhe korrin suksese në akademitë më të mira ushtarake të botës dhe që i shërbejnë Kosovës në çdo kohë e çdo vend.

Forca e Sigurisë së Kosovës është shëmbëlltyrë e shtetit tonë, duke qenë e hapur për të gjitha komunitetet dhe duke punuar për përfaqësim sa më të mirë gjinor.

Secili qytetar i Kosovës sot mburret me të arriturat e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Jemi krenarë me ju!”. /Telegrafi/

Exit mobile version