Telegrafi

Thaçi: FSK është e gatshme të bëhet ushtri

Presidenti i vendit Hashim Thaçi i është gëzuar shumë lajmit se nga Kongresi Amerikan i është bërë thirrje Administratës Amerikane të përgatisë Kosovën për programin e NATO-s, Partneriteti për Paqe.

Lexojeni të plotë postimin e Thaçit:

“Vargut të lajmeve të gëzueshme për të gjithë ata që ia duan të mirën Kosovës iu shtua edhe ai nga Kongresi Amerikan që i bëri thirrje Administratës Amerikane të përgatisë Kosovën për programin e NATO-s, Partneriteti për Paqe.

FSK është e gatshme të bëhet Forca e Armatosur e Kosovës, që do të jetë një forcë multietnike, me përfaqësim të të dy gjinive, me profesionalizëm dhe përgatitje sipas standardeve të NATO-s dhe e gatshme që të kontribuojë për paqe në Kosovë, në rajon dhe në botë.

Institucionet e Kosovës duhet sa më shpejtë të marrin vendimin për themelimin e Forcës së Armatosur të Kosovës.

Miqësia jonë me SHBA-në është mirënjohje por edhe obligim që të vazhdojmë të punojmë për t’i kryer të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë tona. HTH” (sic), ka shkruar Thaçi. /Telegrafi/