Site icon Telegrafi

Thaçi: Hapin për themelimin e FAK-ut e humbëm në 2014-në

E plotësuar: Presidenti i vendit, Hashim Thaçi tha se në vitin 2014 politika kosovare e humbi hapin për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, jo me fajin e të tjerëve, por me neglizhencën e faktorit vendor.

Ai tregoi se propozimin e kishte dërguar në Kuvend, por politika kosovare ishte para procesit elektoral dhe neglizhencën e asaj kohe po e paguajnë sot.

Por, presidenti tha se ka besim që Forcat e Armatosura do të krijohen së shpejti, me gjithë hapin e humbur. “Kam besim se Forcat e Armatosura do të themelohen në një të ardhme të afërt”, tha presidenti.

Presidenti, foli edhe për gratë e dhunuar gjatë luftës, për të cilat tha se do të vazhdojë përkushtimin.

Thaçi: Dialogu me Serbinë duhet të fuqizohet

E plotësuar: Presidenti i vendit, Hashim Thaçi në vazhdim të fjalimit të tij në forumin ‘Fol Hapur’, tha se do të vazhdojë të inkurajojë politikën kosovare që të promovojnë dialogun e jashtëm dhe të mos lejojnë që dialogu me Serbinë në Bruksel të shndërrohet në një proces monoton.

Ai tha se Kosova ka marrëdhënie të shkëlqyer me vendet e rajonit, ndërsa edhe raporti me Serbinë është më korrekt.

Presidenti i vendit tha se do të kërkojë nga institucionet e vendit që t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe të mos lejojnë që procesi i bisedimeve të bëhet monoton.

Ai tha se normalizimi i plotë i raporteve Kosovë-Serbi promovon paqen në rajon.

Presidenti i vendit tha po ashtu se do të vazhdojnë dialogun me BE-në në mënyrë që qytetarët e Kosovës sa më shpejt të gëzojnë lirinë e lëvizjes.

Thaçi theksoi se edhe çështja e të pagjeturve, atyre të zhvendosur, sundimi i ligjit etj, do të jenë në agjendë të tij.

Thaçi: Dialogu nuk ka alternativë

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi në forumin “Fol Hapur’, tha se gjatë mandatit të tij presidencial do të angazhohet fuqishëm për promovimin e dialogut në Kosovë.

Ai tha se do të promovojë dialogun mes liderëve politikë në pushtet dhe atyre opozitarë.

Presidenti i vendit, tha se dialogu nuk ka alternativë dhe është rruga e vetme për zgjidhjen e problemeve.

Ai tha se agjenda evropiane bashkon politikën kosovare, ndërsa tha se do të punojë të kultivojë edhe dialogun e mëtejmë mes institucioneve të vendit dhe komuniteteve.

“Kosova do të jetë shembull i tolerancës dhe bashkëjetesës… Kemi Kushtetutën më të mirë në botë”, tha Thaçi. /Telegrafi/

Exit mobile version