Site icon Telegrafi

Thaçi flet para pjesëtarëve të FSK-së, në kohën kur nis protesta kundër tij

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot do të flasë para pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.

Zyra e Informimit e Presidencës, ka njoftuar se Thaçi do të ketë një adresim publik në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

“Sot, në orën 14:00, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, do të ketë një adresim publik para pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, ka njoftuar Presidenca.

Në vitin e kaluar, me iniciativë të Thaçit ishte proceduar në Kuvendin e Kosovës projektligji që i ndryshon misionin Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe e shndërron atë në ushtri të Kosovës.

Ky projektligj më pas ishte mbajtur pezull me kërkesë të Thaçit, për të provuar edhe një herë, sipas udhëzimeve të ndërkombëtarëve, bindjen e minoritetit serb që krijimi i ushtrisë të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese.

Ditë më parë, ky projektligj është votuar në Qeverinë e Kosovës dhe i është dërguar sërish Kuvendit të Kosovës.

Pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në konferencën e djeshme për media, Thaçi sërish ka paralajmëruar se gjatë këtij viti Kosova do ta ketë ushtrinë e saj.

Presidenti i vendit, sipas Kushtetutës së Kosovës, është edhe Komandant Suprem i Forcës së Sigurisë së Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version