Telegrafi

Thaçi thotë se është përmbyllur procesi i themelimit të Speciales

Hashim Thaçi, presidenti në pritje të marrjes së detyrës, ka thënë se ka pranuar një telefonatë nga zëvendës-ndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit për Europën dhe Euroazinë, Hoyt Brian Yee, nga i cili ka marrë urimet për postin e presidentit të ri të Kosovës.

Thaçi ka thënë se zyrtarit amerikan i ka konfirmuar përmbylljen e themelimit të Gjykatës Speciale.

Këtë, Thaçi e ka bërë të ditur përmes një shkrimi të lëshuar disa minuta më parë, në llogarinë e tij facebook.

Ky është shkrimi i plotë i Thaçit:

“Sapo zhvillova një bisedë telefonike me zëvendësndihmësin e Sekretarit Amerikan të Shtetit për Europën dhe Euroazinë, Hoyt Brian Yee, i cili më uroi për zgjedhjen president i vendit.

Së bashku biseduam për nevojën e stabilitetit institucional, dialogun e brendshëm politik dhe të jashtëm për normalizimin e raporteve me Serbinë, si dhe për thellimin e reformave në ekonomi dhe drejtësi.

Zotit Yee i konfirmova përmbylljen e themelimit të Gjykatës Speciale dhe shpreha zotimin tim se Kosova do të vazhdojë t’i thellojë raportet e shkëlqyera me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ne do të vazhdojmë të punojmë me të gjithë partnerët perëndimorë për anëtarësimin në NATO, për liberalizimin e vizave dhe implem entimin e plotë të agjendës europiane. HTH”, ka shkruar Thaçi.