Site icon Telegrafi

Thaçi foli për marrëdhënien me Edi Ramën dhe takimin e veçantë në burg

Pas afro tri vitesh që nga arrestimi i tij nga Dhomat e Specializuara në Hagë, ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi ka dhënë një intervistë ku ka folur për çështje të ndryshme. 

Përveç të tjerëve në intervistën për Nacionalen, Thaçi flet edhe për kryeministrin Edi Ramën teksa kujton edhe takimin e tyre në Hagë.

“Kur erdhëm në Hagë, si pasojë e masave anti-Covid, i kaluam pa asnjë kontakt fizik rreth 9 muaj, madje as me familje. Nuk ishte e lehtë. Vizita e Edit ndodhi në vend dhe rrethana të jashtëzakonshme e të paimagjinueshme, përtej politikës dhe procesit gjyqësor, bisedë krejt vëllazërore. Më kishte marrë malli. Edi lufton dhe zakonisht fiton në kauzën që beson, është impresionuese se si ai po vazhdon të ndërtojë dhe afirmojë Shqipërinë evropiane”, tha Thaçi.

Si ka folur edhe për gëzimin që përjetojë kur Rama i kishte sjellë libra në paraburgim.

Lexo po ashtu Rama: Gjyqi ndaj Thaçit ngre pikëpyetje mbi respektimin e “procesit të drejtë”

“U gëzova shumë që, pas autorizimit të shefit të paraburgimit, pranova librat që Edi më kishte sjellë në objektin e paraburgimit të DHSK. Si zakonisht, ishte me plot humor të mirë. Por, kur u ndamë, e ndjeva se u emocionua shumë, por gjithmonë me besim për të ardhmen më të mirë dhe më të sigurt, përtej hapësirës ku qëndruam duke pirë kafe rreth dy orë”, tha Thaçi.

“Ne besojmë në drejtësi, në të vërtetën dhe transparencën. Qytetarët e Kosovës janë të etur të shohin dhe të dëgjojnë të vërtetën. Jo të cunguar, apo të njëanshme. Kosova dhe qytetarët e saj besojnë në parimet e drejtësisë moderne, të cilat i ka përfshirë dhe i respekton edhe me kushtetutë dhe ligje shtetërore. Drejtësi që respekton standardet bashkëkohore, e shpejtë dhe efikase. Drejtësi që e fiton legjitimitetin e brendshëm. Kosova ka vuajtur shumë nga padrejtësia. Kosova ka ecur përpara vetëm duke i respektuar parimet e lirisë, drejtësisë dhe demokracisë”, tha më tej Thaçi. /Telegrafi/

Exit mobile version