Site icon Telegrafi

Thaçi: Sot e përgjithmonë, eshtrat e katër bijve të Kosovës do të jenë pranë njëri–tjetrit

Presidenti Hashim Thaçi, sot ka bërë homazhe dhe ka marrë pjesë në Akademinë Përkujtimore për heronjtë Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani, me rastin e rivarrimit të tyre.

Thaçi ka thënë se sot në panteonin e lirisë po vendosen eshtrat e katër heronjve të Kosovës, Afrim Zhitisë, Fahri Fazliut, Agron Rrahmanit dhe Bahri Fazliut, me nderimet më të larta shtetërore dhe institucionale.

“Nga sot e përgjithmonë, eshtrat e katër bijve të Kosovës, që dhanë jetën për idealin jetësor, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, për bashkim kombëtar, do të jenë pranë njëri-tjetrit. Do të jenë, do të pushojnë pranë simbolit të kombit, babait të pavarësisë së Kosovës, Adem Demaçit”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka theksuar se secili prej tyre ra heroikisht në kulmin e moshës më të mirë, Afrimi e Fahriu këtu e tridhjetë vjet më parë, Bahriu e Agroni 21 vjet më parë.

Këta katër heronj, sipas kreut të shtetit, përfaqësojnë më së miri dy deceniet e fundit të shekullit njëzet të historisë së re të Kosovës.

“Të rritur me frymën liridashëse, me edukatë të lartë atdhetare, ata ishin pjesë udhëheqëse e organizimit të protestave dhe demonstratave për Republikën e Kosovës. Ata shkrinë gjithë energjitë fizike, mendore dhe intelektuale për çështjen kombëtare”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka shtuar se secili prej tyre, me gjithë vështirësitë, treguan vendosmëri dhe pathyeshmëri në rrugën drejt lirisë.

Lexo po ashtu Katër heronjtë, Afrim Zhitia, Agron Rrahmani, Fahri Fazliu dhe Bahri Fazliu, rivarrosen pranë varrit të Adem Demaçit

“Afrim Zhitia ishte ndër të burgosurit politikë shqiptarë më të rinj që doli nga burgu edhe më i vendosur, edhe më i formuar edhe më i përkushtuar për ta vazhduar rrugën e çlirimit të Kosovës. Ishte njëri ndër udhëheqësit që i dha frymë Lëvizjes politike kombëtare për Republikën e Kosovës, i dha drejtim”, ka thënë presidenti Thaçi.

I pari i vendit më tej ka thënë se Afrimi, së bashku me Fahriun, më 2 nëntor 1989 ranë trimërisht, duke dëshmuar se Kosova ka njerëz të vendosur dhe të patrembur, që nuk dorëzohen, por luftojnë me armë në dorë përballë shtetit të Serbisë.

“Bahriu dhe Agroni të kalitur në demonstrata dhe të formuar në organizimin e fshehtë politik, duke e parë të domosdoshme luftën e armatosur për çlirim, i dhanë fuqi dhe energji të re Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ranë heroikisht në krye të misionit të tyre, në pranverë të viti 1998. Bahriu në hapësirat shqiptare në Mal të Zi. Agroni në qendër të Prishtinës”, ka shtuar ai.

Presidenti Thaçi më tej ka shtuar se liria, pavarësia dhe themelet e shtetit të Kosovës kanë rrënjë të thella historike.

“Ne që patëm fatin të jetojmë lirinë  jemi krenarë që kemi njohur veprimtarë e punuar së bashku me Afrim Zhitinë, Fahri Fazliun, Agron Rrahmanin, Bahri Fazliun, Hasan Ramadanin e të tjerë”, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se krisma e pushkëve të Afrimit dhe Fahriut, pas atyre të Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës, ishin krismat e para që paralajmëruan ardhjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kreu i vendit ka thënë se jemi krenarë me Zahirin, Hakifin, Edmondin, jemi krenarë me komandantin legjendar Adem Jashari dhe me 2 mijë dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sepse, sipas tij, është gjaku i këtyre dëshmorëve që dëshmojnë për Kosovën e lirë, të pavarur dhe demokratike.

Presidenti Thaçi shtoi se asnjë tendencë, as përpjekje ngado që vjen nuk do të arrijë ta njollosë dhe përbaltë luftë e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Në radhët e saj luftuan dhe u sakrifikuan djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë më të mira të kombit. Sot, Kosova, të gjitha kategoritë e dala nga lufta i trajton dhe do t’i trajtojë edhe më me dinjitet. Familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës së UÇK-së, veteranët janë krenaria jonë”, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se njëzet vjet pas luftës Kosova ka shënuar të arritura të mëdha, por ende ka sfida të mëdha të forcimit të shtetësisë së saj.

“Një gjë jam i sigurt: jemi në rrugë të drejtë dhe do të realizojmë objektivat tona, atë të forcimit të shtetit, në një të ardhme edhe të bashkimit kombëtar”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi në fund ka thënë se duke respektuar dhe vlerësuar lartë kontributin jo vetëm të heronjve që kanë ra me pushkë në dorë, por duke pasur parasysh edhe sakrificën e familjeve të tyre, si president i vendit, por edhe si bashkëluftëtar i heronjve të kombit, ndjen obligim kushtetues dhe ligjor, por edhe obligim moral, politik dhe kombëtar, që t’i ndajë “Urdhrin e Lirisë” familjes së Osman Zhitisë, familjes Fazliu dhe familjes Rrahmani./Telegrafi.

Exit mobile version