Site icon Telegrafi

Thaçi: Edhe pas pensionimit, gjenerali Orr mbetet njëri nga mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur një delegacion nga shteti i IOWA-s, i kryesuar nga gjenerali Timothy Orr.

Thaçi ka thënë se Kosova dhe IOWA, me bashkëpunim të ngushtë tashmë janë bërë si një familje.

“Jemi krenarë me bashkëpunimin e mirë. I tërë rrugëtimi ynë, progresi i arritur, është bërë në koordinim të afërt me SHBA-në”, u shpreh presidenti Thaçi.

Presidenti, tutje ka shtuar se edhe pas pensionimit të tij, gjenerali Orr mbetet një prej mbështetësve më të mëdhenj të Republikës së Kosovës

“Gjenerali Orr me vite të tëra iu shërbeu dy popujve dhe është personifikimi më i mirë i marrëdhënieve speciale ndërmjet Kosovës dhe IOWA-s. Ishte gjithmonë përkrah nesh, në momentet më të veçanta për shtetin dhe popullin tonë. Edhe pas pensionimit të tij, gjenerali Orr mbetet një prej mbështetësve më të mëdhenj të Republikës së Kosovës. I jemi përjetësisht mirënjohës për kontributin e jashtëzakonshëm në modernizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës”, ka deklaruar Thaçi.

Edhe gjenerali Orr, i cili tani po del në pension, u shpreh i lumtur me ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe me bashkëpunimin e mirë ndërshtetëror.

“Kosovën e kam pasur si shtëpi të dytë”, tha ai.

Në përbërje të delegacionit të IOWA-s ishin edhe disa profesorë të Universitetit të IOWA-s, të cilët treguan për sukseset e studentëve kosovarë atje. /Telegrafi/

Exit mobile version