Telegrafi

Grenell publikon fotot e takimit të fundit Thaçi-Vuçiq në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë Aleksandar Vuçiq, ditë më parë kanë zhvilluar takim në Shtëpinë e Bardhë.

I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka publikuar fotografi të takimit në rrjetin e tij social, Instagram.

Takimi ishte zhvilluar në kuadër të përpjekjes për të arritur marrëveshjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

Ditë më parë Thaçi në konferencën për medie, duke folur për marrëveshjen mes dyja vendeve, ka thënë se do të bëhet vetëm në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, dhe me miratimin në Kuvend.

Sipas tij askush nuk duhet të ketë frikë nga prezenca në tavolinën e bisedimeve, derisa në këtë tavolinë do të jenë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Çdo marrëveshje që do të arrihet do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, e aprovuar në Kuvendin e Kosovës, në tavolinën e bisedimeve. Kjo është një punë nacionale askush nuk ka nevojë t’i frikësohet prezencës në tavolinë, derisa aty e pranishme është SHBA-ja. Nuk duhet të frikësohet askush, aq më pak kur dihet saktësisht se do të jetë kjo një marrëveshje që bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, u shpreh Thaçi në konferencë. /Telegrafi/