Site icon Telegrafi

Thaçi e Vuçiq nuk do të bisedojnë për të pagjeturit

Raundi i ri i bisedimeve në nivel presidentësh qe pritet në nis në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk do ta përfshijë temën e personave të pagjetur, apo të rrëmbyer gjatë kohës së luftës në Kosovë nga forcat ushtarake serbe.

Megjithëse ishte përfolur se kjo teme do të nxirret në tavolinë bisedimesh me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, një gjë të tillë e ka mohuar Ardian Arifaj, këshilltar i Presidentit Thaçi.

Ai në një prononcim për Indeksonline, ka thënë se temat kryesore që do të bisedohen në takimet e ardhshme në Bruksel kanë të bëjnë me implementimin e marrëveshjeve të arritura më herët si dhe do të diskutohet për të ardhmen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, kurse tema për të pagjeturit nuk do të jetë pjesë e këtyre bisedimeve.

Arifaj ka treguar Presidenti Thaçi nuk ka dashur që kjo temë të politizohet, sipas tij kjo është një qështje humanitare, që i takon shtetit serb të jap llogari.

“Presidenti gjithmonë ka kërkuar që tema e të pagjeturve mos të politizohet pasi kjo është një çështje krejtësisht humanitare edhe që të gjitha mekanizmat relevantë të angazhohen sa më parë që kjo çështje të mbyllet dhe çdo familje të mësoj për fatin e anëtarit të vetë”, ka thënë ai.

Arifaj ka theksuar se presidenti Thaçi ka më shumë se një vit që kërkon që dialogu të marrë një frymë dinamikë, por edhe të bëhet më përmbajtjesor që do të çojë drejt një marrëveshje kornizë gjithëpërfshirëse, drejt marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore dhe njohjes së Kosovës si shtet dhe më pas pajtimit ndërmjet dy vendeve.

Exit mobile version