Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u takuan mëngjesin e sotëm në ndërtesën e Shërbimit të Jashtëm në Bruksel, në kuadër të një mëngjesi pune të organizuar nga shefja për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.
Nga Komisioni Evropian kanë thënë se qëllimi i këtij takimi është shkëmbimi i pikëpamjeve për vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit me fokus në përgatitjen e fillimit të fazës së re të dialogut, transmeton Klan Kosova.
Ndryshe, Maja Kociançiç, zëdhënëse e Përfaqësueses së lartë, Mogherini, ka deklaruar se në takimin në Bruksel do bisedohet për vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Sipas saj, sot do të bisedohet edhe për zbatimin e marrëveshjeve të cilat tashmë janë arritur në dialog dhe zbatimi i të cilave është në vazhdim e sipër.