Telegrafi

Thaçi e Remi ishin “turistë në luftë” – Zafir Berisha i reagon Haradinajt: Kur dikush e sulmonte policinë serbe, ti punoje baushtellë në Zvicër

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Nisma-s, Zafir Berisha ka reaguar pas deklaratës së fundit të kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj i cili tha se ish-presidenti Thaçi dhe ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa-Remi kanë qenë “turistë në luftë”.

Berisha në një reagim në Facebook, ka shkruar se në kohën kur kanë sulmuar policinë e Serbisë në vitet 1992-1993, Ramush Haradinaj ka qenë duke punuar baushtellë në Zvicër.

Ish-deputeti Berisha ka hedhur fjalë të rënda edhe për Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se mbeturinat e Serbisë janë kthyer në pushtet nën ombrellën e kësaj partie.

“Qasja provinciale me mentalitet mesjetar për luftën e UÇK-së dhe eksponentët e saj, i ka mundësuar mbeturinave të Serbisë të këthehen në pushtet nën ombrellën e sektit të LVV”, ka shkruar Berisha.

Lexo po ashtu Haradinaj: Thaçi e Mustafa ishin turistë në UÇK

Reagimi i plotë:

Nuk e di se në çfarë gjendje emocionale dhe shpirtërore ka mundën me qenë në atë moment, mirëpo Ramushi duhet me kërku falje për lapsusin e bërë!

Qasja provinciale me mentalitet mesjetar për luftën e UÇK-së dhe eksponentët e saj, i ka mundësuar mbeturinave të Serbisë të kthehen në pushtet nën ombrellën e sektit të LVV.

Drenica, Llapi dhe asnjë zonë tjetër e Kosovës, nuk kanë zona ku gjatë luftës ka mundën me qenë turist…

Lufta për sa e di unë nuk ka filluar me 24 mars 1999, sepse ata që u vranë para kësaj date duke përfshi edhe vllaun e Ramushit nuk do të ishin heroi të UÇK-së.

Ne që e kemi sulmuam milicin e Serbisë 1993, dikush që dihet edhe 1992, nuk është korrekte të themi që Ramushi në atë kohë ka qenë duke punuar në “baushtellë” në Zvicër!!!

Me gjithë respektin për luftën që ka bërë Ramushi me familje dhe bashkëluftëtarët e tij në Dukagjin, nuk besoj që kjo i jep të drejtë atij me u shprehë për të tjerët kështu, veçanërisht në këtë kohë kur Serbia dhe argatët e saj në pushtet, nuk po lenë gurë pa lëvizur për ta vënë në pikëpyetje luftën e lavdishme të UÇK-së dhe të arriturat e saj. /Telegrafi/