Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj kanë mbajtur një konferencë të përbashkët para fillimit të Samitit të Berlinit.
Në konferencën e mbajtur pas takimit në ambasadën e Kosovës në Gjermani me bashkatdhetarë, ata kanë thënë se do t’i mbrojnë qëndrimet e tyre të cilat tashmë dihen.
Kryeministri Haradinaj ka thënë para gazetarëve se nuk ka asnjë draft dokument se për çfarë do të diskutohet me Serbinë në këtë takim.
“Nuk ka ndonjë draft apo dokument, as nuk jemi dakordu as nuk kemi fol, por ajo çka është më rëndësi është pra çka kemi thënë çdo herë, Kosova i ka qëndrimet e veta – besoj edhe sot do të jemi në nivel të përgjegjësive tona”, ka thënë Haradinaj.
Ndërsa presidenti Hashim Thaçi, tha se nuk ka dialog me Serbinë pa përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Unë e theksoj se nuk ka dialog dhe negociata pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran – Preshevë, Bujanoc krejt jemi Kosovë”, ka thënë Thaçi.
Thaçi është pyetur nëse është arritur ndonjë marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë.
“Me ne nuk ka fol askush hala”, ishte përgjigja e presidentit.
Ndërsa asnjëri nga liderët nuk i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve se a janë dakorduar në qëndrime, para Samitit të Berlinit që do të mbahet sot. /Telegrafi/