Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, së bashku me kryeministrin, Ramush Haradinaj kanë bërë homazhe tek Obelisku memorial i të Pagjeturve në sheshin “Ibrahim Rugova” në Prishtinë.
Ata kanë vendosur kurora me lule dhe kanë takuar familjarët e të pagjeturve, që ishin atyv për të bërë homazhe.
Krerët e shtetit nuk u prononcuan për media.
Përfaqësuesi i familjarëve të të pagjeturve, Bajram Çerkini tha se nuk është bërë mjaftueshëm nga shteti i Kosovës për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, raporton KP.
Ai u shpreh se nuk do rreshtin duke punuar në këtë drejtim deri në gjetjen e personit të fundit të zhdukur.
Ahmet Grajçevci tha se adresa e vetme për të pagjeturit mbetet Beogradi për çka kërkoi trysni ndaj shtetit serb nga bashkësia ndërkombëtare.
Për të nderuar sakrificën e atyre që u vranë, prej orës 11:00 bëhen homazhe në varrezat e martirëve në Kompleksin Memorial në Meje, ndërsa prej orës 12:00 do të mbahet akademi qendrore po në këtë kompleks.
Më 27 prill 1999 forcat serbe ekzekutuan 376 meshkuj. Pas luftës, një pjesë e tyre është gjetur në varreza masive në Kosovë dhe për të tjerët janë marrë informata se gjenden në Serbi.
Mirëpo edhe përkundër kërkesave nga Qeveria e Kosovës të nxitura nga shoqata të ndryshme humanitare dhe të afërmeve të të ndjerëve organet serbe kanë zvarritur dorëzimin e tyre./Telegrafi/