Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka kujtuar suksesin e shënuar nga xhudistja Majlinda Kelmendi në Lojërat Olimpike “Rio 2016”, për të cilën tha se është Ambasadorja më e mirë e Kosovës, që na bëri të gjithëve krenar, duke e fituar medaljen e artë.
Presidenti Thaçi bëri këtë vlerësim në hapjen e Konferencës së katërt të Ambasadorëve të Republikës së Kosovës, e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme.
“Institucionet e Kosovës janë duke bërë çdo gjë, që sfidat e deritashme të tejkalohen”, ka thënë Thaçi dhe ka shtuar se të shohim ku ishim dhe ku jemi.
“Kemi arritur të artikulojmë një politikë të jashtme të qartë. E kemi bërë të qartë se e ardhmja e Kosovës është anëtarësimi në BE dhe NATO. Kosova brenda më pak se një dekade nga konsolidimi i shtetësisë, ka arritur suksese të mëdha në arenën ndërkombëtare. Është njohur nga 82 për qind e shteteve anëtare të BE-së. Kemi qenë të suksesshëm edhe në anëtarësimin e organizatave ndërkombëtare, si Konventa e Arbitrazhit etj. Viti 2016 ka qenë veçanërisht i suksesshëm në arenën ndërkombëtare sportive. Ambasadorja më e mirë e Kosovës Majlinda Kelmendi na bëri të gjithëve krenar, duke e fituar medaljen e artë”, ka thënë Presidenti, raporton KosovaPress.
Ai ka shtuar se marrëdhëniet e veçanta me SHBA-të, BE-në dhe NATO-n janë thelbi i politikës sonë të jashtme.
Ndryshe, Konferenca do të zgjasë deri më 23 dhjetor 2016, ku qëllimi i Konferencës është nxjerrja dhe përgatitja e planit të MPJ-së për 2017, i cili duhet të jetë në përputhje me planin dhe prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës./Telegrafi/