Me gjithë insistimin e Komunës së Prishtinës për t’i sjell autobusët e rinj urbanë në shërbim të qytetarëve, ardhja e tyre ka gjasë që do të vonohet.
Fajin për një gjë të tillë Komuna ia ka lënë ministrit të Financave, Avdullah Hoti, dhe kryeministrit Isa Mustafa për mosdhënien me kohë të garancisë shtetërore pa të cilën Komuna nuk mund ta nënshkruajë kredinë për blerjen e autobusëve të trafikut urbanë.
Ditë më parë Kuvendi Komunal i Prishtinës në mënyrë unanime ka marrë vendim që t’i rekomandojë Ministrisë së Financave që në pajtim me Ligjin për borxhet publike t’i rekomandojë Qeverisë miratimin e kërkesës për garanci shtetërore për marrjen e kredisë nga BERZh-i, për blerjen e 51 autobusëve të rinj. Pro këtij vendimi kanë qenë 42 anëtarë të Kuvendit Komunal. Komuna e Prishtinës zotohet se do të marrë përsipër kthimin e borxhit, nëse kompania Trafiku Urban dështon ta paguajë.
Sipas këtij vendimi, Hoti ende nuk e ka nënshkruar garancionin e sovranitetit pa të cilin Komuna e Prishtinës nuk do të mund ta nënshkruajnë kontratën për autobus.
Se a do ta nënshkruajë Hoti garancionin e sovranitetit, si duket kjo nuk varet nga vet ai, pasi ky i fundit duhet ta procedojë kërkesën e Komunës për miratim nga ana e Qeverisë për dhënien e garancisë shtetërore dhe propozim- vendimin për t’i rekomanduar presidentit Hashim Thaçi që të autorizohet Hoti për dhënien e nënshkrimit të marrëveshjes ndërkombëtare. /Tribuna Channel/