Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, duke aluduar në bisedimet Kosovë-Serbi, ka thënë se tri vite më parë kishte filluar një kapitull i ri i komunikimit dhe bashkëpunimit në rajon.
Ai, nëpërmjet një postimi në Facebook ka thënë se tek pas një shekulli konflikt, u arrit marrëveshja e parë paqësore mes Kosovës dhe Serbisë, e cila sipas tij synon normalizimin e marrëdhënieve dhe në fund pajtimin mes dy popujve dhe dy shteteve, me udhëheqjen e BE-së dhe përkrahjen e SHBA-së.
“Nuk ishte vendim i lehtë, por ishte vendimi më i mirë për shtetin tonë dhe popujt e rajonit”, ka shkruar Thaçi.
Megjithatë, sipas tij, ndonëse janë kthyer sytë nga e ardhmja më e mirë për popullin dhe shtetin, asnjëherë s’do të harrohet sakrifica nëpër të cilën kemi kaluar.
“Për t’u siguruar që e ardhmja jonë nuk do të kërcënohet nga e kaluara, duhet që normalizimi dhe pajtimi të ndërtohen mbi drejtësi për të gjitha viktimat dhe të zbardhet fati i të pagjeturve”, ka shkruar më tej Thaçi në Facebook.
Po sipas tij, “më e rëndësishmja është se jemi në rrugën e drejtë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë, për gjeneratat e ardhshme, çfarë të gjithë ne kemi ëndërruar”.
“Është koha që dialogu të bëhet më dinamik, të rritet efikasiteti në implementim dhe të kalojmë nga procesi i normalizimit të raporteve në pajtim mes shteteve dhe popujve. Dialogu, normalizimi dhe pajtimi mes shteteve dhe popujve nuk ka alternativë”, ka përfunduar Thaçi. /Telegrafi/