Telegrafi

​Thaçi-Dragusha: Kosova po përballet me katastrofë humanitare, COVID-19 është jashtë kontrollit

Në debatin parlamentar për gjendjen pandemike, deputetja nga PDK, Evgjeni Thaçi-Dragusha theksoi se Kosova po përballet me katastrofë humanitare dhe se pandemia Covid-19 është jashtë kontrollit.

Ajo tha se Qeveria nuk do të mund ta përballojë menaxhimin e pandemisë Covid-19.

“Jemi duke u përballur me një situatë, që mund ta quajmë lirisht një katastrofë humanitare. Kemi humbje të mëdha njerëzore, kemi humbje materiale-ekonomike e të cilat ne si vend dhe kjo qeveri me këto resurse dhe me këtë plan që ka në dispozicion nuk mund ta përballoj. Prandaj, kjo gjendje kërkon vëmendjen e të gjithë neve. Virusi është jashtë kontrollit, dimri po vjen dhe njerëzit mbyllen brenda shtëpive të tyre, restoranteve dhe mundësia që të shpërndahet virusi në masë është shumë e madhe. Spitalet veçse i kemi të mbi ngarkuara e deri në fillim të vitit tjetër sipas statistikave, numri i njerëzve të hospitalizuar dhe atyre që mezi marrin frymë duket se do të dyfishohet. E kjo është vetëm një pjesë e kësaj katastrofës”, theksoi ajo.

Deputetja po ashtu ngriti edhe çështjen e aspektit ekonomik, ku tha se humbjet ekonomike janë të pa imagjinueshme, si dhe humbja e vendeve të punës, mbylljet e bizneseve.