Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të takohen të dielën, më 24 qershor në Bruksel, në kuadër të dialogut në nivelin e lartë politik.
Në këtë takim do të diskutohet rreth marrëveshjeve që janë arritur deri më tani si dhe për hapat e mëtejmë drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka konfirmuar sot se takimi i radhës në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq do të jetë të dielën, më 24 qershor.
“Kabineti im sot ka qenë në kontakt me kabinetit e Federica Mogherinit. Kemi pranuar ftesën për të vazhduar dialogun…”, tha Thaçi, raporton Telegrafi.
Presidenti i vendit tha se pala kosovare ka konfirmuar pjesëmarrjen në takim.
Po ashtu në një takim me media në Beograd, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka konfirmuar se ka marrë ftesë për vazhdimin e dialogut me Prishtinën, shkruajnë mediat serbe.
Ai ka shtuar se gjatë të dielës do të takohet me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, transmeton Telegrafi.
“Kam marrë ftesë zyrtare dhe mund të konfirmoj se delegacioni i Serbisë do të jetë atje. Nga e premtja do të jetë në Bruksel, kurse të dielën do të takohem me Hashim Thaçin”, ka deklaruar Vuçiq.
Ndryshe, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është duke u zhvilluar në dy nivele. Në atë politik, ku delegacionet përfaqësohen nga presidentët e shteteve, si dhe niveli teknik, që zhvillohet përmes ekipeve të ekspertëve, ministrave. /Telegrafi/