Site icon Telegrafi

Thaçi dhe përmbyllja historike e së kaluarës me Serbinë

Kryeministri i vendit ka një brengë të madhe sa i përket së kaluarës historike me Serbinë. Ndonëse nuk jam tërësisht i bindur se a është kjo brenga e tij autoktone apo e imponuar nga ata që po e mbajnë në pushtet, e që ne me dëshirë i quajmë miqtë tanë ndërkombëtarë. Kryeministri është thellësisht i bindur se kjo e kaluar duhet të përmbyllet përfundimisht, ndonëse nuk e besoj se e dinë, si dhe kur? Shikuar me syrin e Kryeministrit dhe atyre që po ia ndezin motorët Kryeministrit për ta përmbyllur këtë të kaluar historike mund të na duket si diçka shumë e rëndësishme dhe me peshë historike, mirëpo shikuar me realitetin politik dhe qëndrimit që ka shteti serb ndaj Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi kjo mund të na dalë edhe një lojë e cila po nuk e pati Serbinë fituese në çfarëdo varianti nuk do të përfundojë kurrë.

Kryeministri me bërjen publike të kësaj ideje e ka për qëllim kryekëput të legjitimohen të ashtuquajturat bisedime teknike në Bruksel. Kryeministri është i bindur se opinioni është përgatitur për këtë dhe në emër të temave të mëdha dhe me peshë historike do të manipulohet më lehtë e më mirë populli. E kaluara historike në mes shqiptarëve dhe serbëve e dimë të gjithë se si ka qenë dhe si është aktualisht, do të ishte e tepërt përpjekja për ta përshkruar këtë të kaluar. Edhe sikur të donim të kalonim në anën e Kryeministrit për një moment dhe t´i bashkohemi idesë së tij, kjo do të ishte krejtësisht e pamundur sepse ata me të cilët Kryeministri donë për tu pajtuar dhe për ta përmbyllur të kaluarën historike jo vetëm që nuk janë të gatshëm për këtë, por as që po bëjnë përpjekje për të qenë gati. Ata janë barrikaduar fort në filozofinë e tyre politiko-shoviniste që ia ka lënë amanet Akademia e tyre luftënxitëse.

Serbia është e angazhuar me të gjitha mjetet e saja politiko-diplomatike si dhe paramilitare që të realizojë fillimin e bisedimeve politike, apo si e tha zëvendëskryeministri serb një të ashtuquajtur konferencë ndërkombëtare për Kosovën. Dorën në zemër, Serbia duke e shfrytëzuar pafuqinë dhe mosangazhimin e qeveritarëve tanë në njërën anë, dhe heshtjen tinzare të disave nga ata që e përbëjnë bashkësinë ndërkombëtare në Kosovë në anën tjetër, ka krijuar një realitet politik në veriun e vendit dhe më gjerë, i cili realitet nga Serbia para disa ditëve u mbrojt edhe me armë zjarri duke sulmuar edhe paqeruajtësit e KFOR-it. Duke e ditur këtë fakt disa zëra ndërkombëtar e emërtuan veriun e vendit si problem politik dhe si i tillë domosdoshmërisht kërkon edhe zgjidhje politike.

Krekosjet e Qeverisë së Kosovës deri në neveri dhe banalitet se e vunë në funksion të plotë sovranitetin e Republikës së Kosovës, ndonëse nuk ecën rrugës sepse rrugët u barrikaduan me urdhra të shtetit serb, por fluturuan me helikopter, mbetën vetëm si krekosje dhe propagandë së cilës po i del boja në tërësi.

Do të bëja një krahasim këtu sa i përket të ashtuquajturit sovranitet ajror nga Qeveria e Kosovës. Të gjithë e dimë fushatën ajrore të NATO-s mbi caqet serbe. Kjo fushatë e lodhi përfundimisht makinerinë kriminale të Serbisë të udhëhequr nga Milloshoviqi, por nuk e dorëzoi në tërësi. Vetëm kërcënimi se do të hynë këmbësoria e detyrojë Milloshoviqin të kapitullonte. Veriut nuk i duhet zgjidhje politike por i duhet zgjidhje ushtarake, ku KFOR-i do ta përfundonte punën e lënë në gjysmë në vitin ‘99.

Zoti Kryeministër nuk do të përmbyllet kurrë e kaluara historike përderisa kemi ende shumë varre të hapura anë e mbanë Kosovës duke i pritur eshtrat e atyre që Serbia i mbyti vetëm se ishin shqiptar. Kuptojeni zoti Kryeministër se Serbia nuk po e mbanë vetëm të kaluarën tonë peng, ajo fal politikës suaj dhe miqësisë permanente që keni ndaj saj po e mban edhe te ardhmen.

Exit mobile version