Telegrafi

Thaçi dhe kryeministri grek zhvillojnë takim në Nju Jork

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.

Në këtë takim është biseduar për tema të ndryshme, që ndërlidhen me forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy popujve dhe shteteve tona, thuhet në komunikatën për media.

“Tani është koha që bashkëpunimin e mirë të deritanishëm ta zgjerojmë, ta rrisim një bashkëpunim të mirëfilltët ndërmjet dy shteteve tona”, ka thënë Presidenti.

Thaçi ka falënderuar kryeministrin grek për mbështetjen që shteti i tij i ka dhënë Kosovës në proceset e integrimeve euroatlantike.

Në takim është biseduar edhe për mundësinë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimit tregtar si dhe në arsim dhe kulturë.

Nga ana tjetër, kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis ka theksuar se Greqia mbështet perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Presidenti Thaçi, gjatë ditës do të zhvillojë takime të shumta me liderë nga shtete të ndryshme të botës. /Telegrafi/