Telegrafi

Thaçi dhe Erjavec lidhin marrëveshje për bashkëpunim ekonomik

Zëvendëskryeministri i parë, Hashim Thaçi, me homologun e tij slloven, Karl Erjavec, kanë nënshkruar edhe një marrëveshje ndërshtetërore për zhvillimin dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik në të gjitha fushat që konsiderohen të jenë me interes të përbashkët.

Tregu i Kosovës nuk është një treg i panjohur për bizneset sllovene dhe shtrirja e bashkëpunimit me këtë marrëveshje mundëson lehtësimin dhe mbështetjen e shkëmbimit të kontratave mes operatorëve ekonomik. Në marrëveshjen e nënshkruar nga Thaçi dhe Erjavec parashihet lehtësimi i shkëmbimit të informacioneve ekonomike dhe asistimi shtetëror në organizimin e panaireve, ekspozitave dhe simpoziume.
Gjithashtu, kjo marrëveshje parasheh edhe promovimin e tregtisë në mallra e shërbime dhe bashkëpunimin afatgjatë në industri, infrastrukturë, telekomunikacion, transport, energji, miniera, bujqësi, pylltari, në mbrojtjen e mjedisit dhe në turizëm.

“Marrëveshja që nënshkruam është një hap i rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit tonë dypalësh. Ne jemi të angazhuar për të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve tona”, ka thënë Thaçi.

Për më shumë, palët mund të themelojnë edhe Komisionin e Përbashkët Kosovë-Slloveni për t’u marrë drejtpërdrejtë me fushat që mbulon marrëveshja, si në identifikimin e prioriteteve dhe problemeve që pengojnë tregtinë dypalëshe dhe bashkëpunimin ekonomik, ashtu edhe në propozimin e masave për zgjidhjen e tyre.

Sllovenia bën pjesë në grupin e shteteve me prezencën më të madhe të investimeve në Kosovë dhe bazuar në të dhënat e komuniteteve të biznesit, në Kosovë operojnë rreth 250 biznese sllovene, që kanë punësuar rreth 2 mijë kosovarë. /Telegrafi/