Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, përmes një videomesazhi drejtuar popullit ka thënë se Kosova, duke u bërë shtet i pavarur dhe sovran, duke u njohur nga shumica e shteteve të botës, përveç privilegjeve ka marrë mbi vete edhe përgjegjësitë ndërkombëtare.
Pa marrjen e këtyre përgjegjësive, presidenti Thaçi thotë se Kosova as nuk do të bëhej e lirë, as sovrane e as nuk do ta kishte mbështetjen e fuqishme ndërkombëtare.
Sipas tij, parakusht për të ardhmen evropiane është fqinjësia e mirë.
“Para një viti Kosova nënshkroi marrëveshjen për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Kam respektuar dhe dëgjoj me vëmendje çdo opinion dhe diskutim prej kujtdo qoftë për këtë çështje. Por, dua ta them shumë hapur: keqpërdorimi i kësaj agjende për përfitime politike apo për politikë ditore është kauzë e paqëndrueshme dhe mbi të gjitha e rrezikshme”, ka thënë presidenti Thaçi.
Ai ka shtuar se marrëveshja është e drejtë, e saktë, e konfirmuar nga ekspertë të shquar kombëtarë dhe ndërkombëtarë. “E them përsëri: Kosova nuk ka humbur asnjë metër katror të territorit të saj. Nuk është cenuar asnjë pronë private apo e drejtë për shfrytëzimin e pronave publike”, thekson presidenti në videomesazhin e tij. /Telegrafi/