Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në këtë kohë kur po vazhdon të jetë në fuqi tarifa 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, ka dekretuar Marrëveshjen për Tregti të Lirë me Turqinë.
Presidenti Thaçi dekretin e ka nënshkruar më 11 qershor të këtij viti që përfundimisht ratifikon marrëveshjen e tregtisë së lirë me Turqinë, e cila është nënshkruar më 27 shtator të vitit 2013, ndërsa është pranuar në Zyrën e Presidentit të Kosovës më 4 prill të këtij viti.
“Marrëveshja e ratifikuar i dërgohet Kuvendit të Republikës së Kosovës për njoftim, në përputhje me nenin 18, paragrafi 3 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, shkruan në dekret.
Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje është bërë publik edhe në Gazetën Zyrtare të Qeverisë së Kosovës, më 13 qershor 2019.
Të dhënat nga tregtia e mallrave në Kosovë, në vitin 2018, tregojnë për një deficit tregtar në vlerë prej 2.9 milionë euro, ose në përqindje 11.6 për qind. Pra, gjatë këtij viti pati bilanc negativ sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në mbi 1 milion euro, ose 31.0 për qind. Turqia ishte ndër vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup me 10.1 për qind. /KP/Telegrafi/