Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka dekoruar familjen Demaçi me Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë.
Një gjë të tillë, presidenti Thaçi e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, ku ka publikuar edhe fotografi.
“Jemi krenarë që jetuam në epokën e Adem Demaçit. Ai dhe familja e tij u vetëmohuan gjatë tërë jetës për qëllime madhore”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Adem Demaçi ka vdekur më 26 korrik (të enjten) ndërsa varrimi i tij u bë të shtunën me nderime shtetërore. Ai u varros në varrezat e dëshmorëve në Velani.
Demaçi i kaloi 28 vjet burg dhe tërë jetën ia kushtoi çështjes kombëtare.
Në vitin 1991 Parlamenti Evropian ia kishte ndarë Demaçit çmimit Sakharov. /Telegrafi/