Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dekoruar deputetin Danush Ademi me “Medalje Presidenciale”, në prag të Ditës Kombëtare të Ashkalinjve.
Thaçi përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se me këtë rast e ka dekoruar me “Medalje Presidenciale” edhe deputetin Danush Ademi, pasi që sipas tij, deputeti Ademi ka dhënë kontribut shumëvjeçar në Kuvendin e Kosovës.
Postimi i plotë i Thaçit:
Në prag të Ditës Kombëtare të Ashkalinjve prita përfaqësuesit politikë të këtij komuniteti, të cilët çdo ditë japin kontribut për forcimin e Kosovës sonë shumetnike. Institucionet tona do të jenë gjithmonë të angazhuara për promovimin e të drejtave të barabarta për të gjitha komunitetet.
Po ashtu, deputetin Danush Ademi, i cili ka dhënë kontribut shumëvjeçar në Kuvendin e Kosovës, e dekorova edhe me Medaljen Presidenciale.
Kosova është shtëpi e të gjithë qytetarëve të saj, pa dallime etnike apo fetare dhe secili duhet të ndjehet i lirë dhe i barabartë.