Site icon Telegrafi

Thaçi dekoroi presidentin Meta me “Urdhrin e Pavarësisë”

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dekoruar presidentin e Shqipërisë, Ilir Mete me “Urdhrin e Pavarësisë”, për kontributin e tij personal për Kosovën.

Thaçi tha se kjo dekoratë për Metën ka të bëjë me përkushtimin e tij personal për njohje të reja të Kosovës dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare

“Duke vlerësuar kontributin tuaj personal për Kosovën, mbështetjen ndaj UÇK-së, përpjekjeve për liri e pavarësi, të gjitha atyre përkushtimeve për njohje të reja dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare, sot si President i Kosovës dhe si mik, të ndaj “urdhrin e pavarësisë”, tha Thaçi në një konferencë të përbashkët për media me presidentin Meta.

Ndërkaq, presidenti Meta tha se ndihet tejet i nderuar për marrjen e kësaj dekorate.

“Jam vërtet i emocionuar që vijë në Kosovë si president i Republikës së Shqipërisë”, tha Meta.

Ai tha se këtë dekoratë do të marrë edhe si vlerësim për të gjithë shqiptarët e Shqipërisë që kanë mbështetur lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Meta tha se zotohen për angazhim të mëtejmë për njohjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe realizimin e aspiratës për integrim evropian.

Presidenti i Shqipërisë tha se e ardhmja e Kosovës është në Evropë dhe se e ardhmja e Kosovës ka shumë rëndësi për proceset e përgjithshme në rajon.  /Telegrafi/

 

Exit mobile version