Telegrafi

Thaçi, Burns-it: Tani kemi nevojë për mbështetje më të madhe

Këto komente Burns i bëri gjatë një bisede telefonike të martën mbrëma me kryeministrin e vendit, Hashim Thaçi.

Sipas komunikatës së Kryeministrisë, në bisedën telefonike, Burns, kryeministrit Thaçi i përcolli përshëndetjet e sekretarit amerikan të shtetit, John Kerry, i cili ka rikonfirmuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë ta mbështesin Kosovën dhe qytetarët e saj edhe në të ardhmen.

Ndërkaq, kryeministri Thaçi falënderoi qeverinë e SHBA-ve për mbështetjen e madhe në këtë proces. Ai e informoi zëvendës sekretarin amerikan se të dy vendet janë në rrugë të mirë të arritjes së marrëveshjes me Serbinë.

Kryeministri Thaçi me këtë rast ka thënë “tani ne kemi nevojë për mbështetje më të madhe që do të mund ta merrnim nga ju dhe nga BE-ja për ta arritur këtë”.

“Ne kemi treguar kreativitetin dhe fleksibilitetin maksimal deri tani në mënyrë që të ofrojmë zgjidhje praktike që do të përmirësojë jetën e qytetarëve që jetojnë në veri të Kosovës, dhe për të sjellë tek ta besimin për t’u integruar në institucionet e Kosovës. Ne besojmë se tani është koha për Serbinë që të pajtohet për kushtet e marrëveshjes të dhëna me shkrim për çështjet për të cilat ata tashmë veç kanë dhënë pajtimin në mënyrë verbale, dhe kjo ka të bëjë me shpërbërjen e strukturave të sigurisë që veprojnë ilegalisht në veri dhe integrimin e tyre të menjëhershëm në strukturat legale të sigurisë së Republikës së Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Kryeministri më tej ka shprehur gatishmërinë që të pajtohet për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe që do t’iu mundësonte komunave me shumicë serbe të veriut, por gjithashtu edhe për të tjerat në jug, të bashkëpunojnë në fusha të ndryshme të interesit.

“Përveç kësaj, ky asociacion mund të krijojë partneritete me asociacionet e ngjashme në Serbi dhe gjetiu”, ka njoftuar Thaçi.

Më tej kreu i ekzekutivit kosovar e ka njoftuar zëvendës sekretarin Burns se ekziston një gamë e gjerë e funksioneve që do të mund t’i kryejë ky Asociacion dhe i ka dhënë baroneshës Ashton një listë të kompetencave që mund t’i ketë ai.

“Por unë duhet t’iu informoj se ky Asociacion ose organ, ose komunitet siç dëshiron Serbia ta quajë atë, nuk mund të jetë një Organ i Zgjedhur dhe nuk mund të ketë as Kompetenca Ekzekutive. Kjo do të thotë që kompetencat e zgjeruara ekzekutive të komunave lokale serbe nuk mund të transferohen tek asociacionet, sepse kjo do të përbënte një nivel të tretë të Qeverisë e cila do të minonte Kushtetutën tonë dhe rendin e brendshëm shtetëror”, është shprehur Thaçi, duke kërkuar ndihmën e SHBA-së në këtë drejtim. “Prandaj, unë fuqimisht ju lus për mirëkuptimin dhe mbështetjen tuaj që ta shmangni këtë”, ka thënë Thaçi.

Kreu i ekzekutivit të Kosovës ka vlerësuar se fillimisht kjo marrëveshje duhet të ratifikohet nga të dy parlamentet, nga ai i Kosovës dhe ai i Serbisë.

“Së dyti, ne duhet të sigurohemi që të krijojmë një mekanizëm adekuat të udhëhequr nga dy Kryeministrat, baronesha Ashton në emër të BE-së, një përfaqësues i SHBA-ve, dhe ndoshta një përfaqësues i NATO-s. Zbatimi është element kyç i tërë kësaj Marrëveshjeje”, tha ndër të tjera, Thaçi. /Telegrafi/