Ditë më parë, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i ka dërguar dy letra, të ngjashme, dy presidentëve – atij të Kosovës, Hashim Thaçit dhe homologut të tij nga Serbia, Aleksandar Vuçiq.
Në të dyja letrat, mes dallimeve, theksohet se duhet të shfrytëzohet momenti historik për arritjen e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë.
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë se letrat e presidentit amerikan janë një mesazh i qartë.
“Unë përsëri falënderoj SHBA-të, si president i vendit, në emër të institucioneve të vendit, në këtë fundvit, për mbështetjen e vazhdueshme që na kanë dhënë, një mbështetje e gjithanshme”.
“Jemi të bekuar që e kemi këtë miqësi dhe përkrahje unike. Presidenti i SHBA-ve [Donald Trump] ka theksuar shumë qartë, për Kosovën, që të mos e humbasim këtë momentum. Gjërat kanë filluar të lëvizin në rrafshin global ndërkombëtar për çështjen e Kosovës në raport me Serbinë Ky momentum është i jashtëzakonshëm kur kemi këtë interesim të drejtpërdrejtë të njeriut numër 1 të SHBA-ve, njeriut më të fuqishëm në botë”, tha presidenti Thaçi, në Zona B të Klan Kosovës.
“Ftesa që të punohet në mënyrë aktive dhe të mos nxirren pengesa në proces është mesazh i qartë që të punojnë me agjendë për të ardhmen, për të lehtësuar angazhimet për arritjen e marrëveshjes finale në përfshirje sa më të gjerë politike dhe të shoqërisë”.
“Prandaj presidenti Donald Trump thekson edhe nevojën e angazhimit më dinamik që të mos ketë rikthim në tragjiken e së kaluarës”.
“Ai potencon qartë që është i gatshëm në angazhimin e dy vendeve për arritjen e marrëveshjes finale, që nënkupton njohjen e Kosovës nga Serbia, anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe këtë të urojë dhe përgëzojë në Shtëpinë e Bardhë”.
I pari i vendit ka thënë se letra e presidentit amerikan, Donald Trump, është një nga katër momentet historike që kanë ndodhur në tri dekadat e fundit, në marrëdhënien e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Mendoj që kanë qenë katër momentet historike, në tri dekadat e fundit, që kanë ardhur nga presidentët e SHBA-ve. Momenti i parë ka qenë kur për festën e Krishtlindjeve, në vitin 1992, presidenti tashmë i ndjerë, George H. W. Bush dërgoi mesazh të qartë te Sllobodan Millosheviqi që nuk do ta lejojë që në Kosovë të përsëritet ajo që ndodhi në Bosnje dhe Hercegovinë. Mesazhi i dytë i qartë historik ka qenë vendimi i presidentit amerikan, Bill Clinton për fillimin e bombardimeve. Mesazhi i tretë historik gjithashtu ka qenë deklarata e George W. Bush ‘mjaft është mjaft’ dhe pas gjashtë muajsh, Kosova u bë e pavarur dhe sovrane”.
“Tash kemi letrën e presidentit Donald Trump, prandaj jam më se i bindur që lidershipi dhe populli i Kosovës ashtu si i ka kuptuar shumë mirë mesazhet e George H. W. Bush, vendimin e Bill Clinton për bombardimet, mesazhin e George W. Bush do ta respektojë edhe opinionin dhe mesazhin e presidentit Donald Trump që të punohet në arritjen e marrëveshjes finale”, tha ai.
“Vazhdoj me qenë i bindur se nuk do të ketë në Kosovë lider ose opinion që del kundër qëndrimit të SHBA-ve. Uroj që të mos e jetojë atë kohë kur dikush në Kosovë del kundër SHBA-ve”, tha ai.