Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka bërë të ditur se i ka dhuruar bibliotekës së Forumit të Paqes në Paris, librin “Nëna e Dashurisë” kushtuar Nënë Terezës, e cila është simbol i dashurisë, solidaritetit dhe kujdesit.
Thaçi ka thënë se populli ynë i dha botës një nënë shumë të dashur për gjithë popujt, e cila me rrugën e saj fisnike ishte simbol i mirësisë dhe mishërim i vetive më të mira njerëzore, transmeton Telegrafi.
Ndryshe, Presidenti Thaçi në margjina të Forumit të Paqes në Paris, ka takuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, takimi është ndërmjetësuar nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron.
Në njoftimin e bërë nga presidenca thuhet se në takim Thaçi ka konfirmuar se Kosova është e gatshme të vazhdojë dialogun me Serbinë, në kërkim të një marrëveshjeje për paqe, e cila do të sjellë njohje reciproke dhe anëtarësim në Kombet e Bashkuara, duke i hapur kështu rrugë zhvillimit në Kosovë dhe integrimit në NATO dhe Bashkim Evropian. /Telegrafi/