Presidenti i vendit, Hashim Thaçi në një konferencë për media ka folur rreth proceseve të shumta që kanë ndodhur në vend në këto dhjetë vjet të pavarësisë së Kosovës.
Thaçi para gazetarëve tha se këto dhjetë vite kanë qenë vite të progresit, të konsolidimit të brendshëm dhe të jashtëm të shtetit, të 115 njohjeve ndërkombëtare.
“Kanë qenë vite të ndryshimit të Kosovës për të mirë”, tha Thaçi.
Kreu i shtetit tha se falë punës së përbashkët në Kosovë, bashkëpunimit dhe konsultimit me institucionet ndërkombëtare kanë arritur ta përmbyllin mbikëqyrjen ndërkombëtare të pavarësisë.
“Tani është koha që autoritetet e drejtësisë në Kosovë t’i marrin përgjegjësitë që iu takojnë”, tha Thaçi.
Ai tha vendi ndodhet para një situate të re në këtë prag të dhjetë vjetorit të pavarësisë.
“Pas pak ditësh do të prezantohet Strategjia e zgjerimit e Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor. Dua të shpresoj se edhe Kosova me kryerjen e obligimeve të veta do të përfshihet në mënyrë të qartë dhe të meritueshme në Strategjinë që do të publikohet pas pak ditësh”, tha ndër të tjera Thaçi.
Presidenti i vendit shprehu bindjen se Kosova ka të ardhme evropiane.
Ai tha se beson fuqishëm se Strategjia e zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor do të jetë konkrete edhe për Kosovën, si edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Sipas tij, Kosovës i duhet qartësia për të ardhmen evropiane dhe kësaj qartësie do t’i ndihmojë shumë edhe vendimmarrja e institucioneve të vendit gjatë ditëve të ardhshme.
Ai tha se beson që skena politike në vend në një të ardhme të afërt do ta mbyll edhe çështjen e demarkacionit.
“Në anën tjetër Kosova do të vazhdojë të investojë fuqishëm në konsolidimin e procesit të dialogut me Serbinë, si parakusht për paqe dhe fqinjësi të mirë”, tha Thaçi, duke u shprehur optimist se 2018-ta do të jetë vit i marrëveshjes ndërkombëtare Kosovë-Serbi, ku më pas Kosova do të jetë pjesë e OKB-s. /Telegrafi/