Telegrafi

Thaçi bëri homazhe te varri i Bahri Fazliut: Ai e fuqizoi UÇK-në

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka bërë homazhe te varri i heroit, Bahri Fazliu në Prishtinë ku tha se ai ishte njëri prej njerëzve më aktiv të Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës.

Thaçi tha se Bahri Fazliu ishte njëri ndër ata që fuqizoi dhe e forcoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Sot përkujtojmë, bashëveprimtarin, bashkëluftëtarin, heroin e kombit, Bahri Fazliun që ra heroikisht në istikamet e luftës përballë ushtrisë e policisë serbe. Bahriu ishte njëri prej njerëzve më aktiv të Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, njëri nga ata që fuqizoi dhe forcoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në vizionin e tij politik dhe të gjithë bashkëluftëtarëve të tij që sot të jemi të lirë, të pavarur, sovran dhe nesër në NATO dhe Bashkim Evropian. Nderime”, tha Thaçi.

Bahri Fazliu ishte anëtar i LKÇK-së dhe pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 7 maj të vitit 1998 në vendin e quajtur Bogiqe të Malit të Zi ra heroikisht.

Lexo po ashtu Bëhen 22 vjet nga rënia e Bahri Fazliut

Për disa vjet jetoi në ilegalitet dhe ishte kryeredaktor i revistës “Çlirimi”, e cila botohej nga LKÇK-ja.

Ishte vëlla i heroit Fahri Fazliut, i cili më 2 nëntor 1989 së bashku me Afrim Zhitin bien heroikisht në një betejë me policinë serbe në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë. /Telegrafi/