Presidenti Hashim Thaçi ka thënë sot në konferencën ndërkombëtare “Dubrovnik Forum”, se Kosova si shtet sovran e ka edhe detyrim kushtetues ta formojë ushtrinë, e cila do të bëhet në partneritet me NATO-n.
Duke folur për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, presidenti Thaçi ka thënë se është zotim i Kosovës ta vazhdojë atë drejt normalizimit të marrëdhënieve.
“Jemi të vetëdijshëm se kemi ardhur në një pikë, në një proces të ri, i cili duhet të përfundojë me normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka theksuar Thaçi.
Duke folur për zhvillimet politike në shtetet e Ballkanit Perëndimor, Thaçi ka thënë se pas disa muajsh mjegulle politike, gjendja në Evropën Juglindore po qartësohet.
“Qeveritë e orientimit të qartë pro Bashkimit Evropian po marrin pushtetin në shumicën e shteteve të Evropës Juglindore. Derisa, në BE ka shenja se politikat e integrimit evropian sërish po triumfojnë”, ka theksuar ai.
Sipas tij, kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që të kemi forume rajonale, ku mund të diskutohen zhvillimet në shtetet tona.
Ai ka thënë se “nëse ne jemi të ngadaltë në proceset integruese dhe në bashkëpunim, kjo nuk ka të bëjë me mungesë të mekanizmave që i promovojnë ato”.
“Por, kjo ka të bëjë më shumë me mungesën e guximit, vizionit dhe lidershipit. Lidershipi dhe vizioni – për të kuptuar se ne duhet të shikojmë njëri-tjetrin jo si armiq, por si partnerë dhe si shans”, ka thënë presidenti Thaçi. /Telegrafi/