Site icon Telegrafi

Thaçi: Kushtëzimi i dialogut me heqje të taksës i paarsyeshëm, por duhet t’i respektojmë këshillat e BE-së dhe SHBA-së

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka ripërsëritur se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është shumë i rëndësishëm për zgjidhjen e problemeve mes dy shteteve.

“Të gjithë pajtohemi se dialogu është mënyra e vetme për zgjidhjen e problemeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo është edhe arsyeja thelbësore pse Kosova ka qenë gjithmonë konstruktive dhe nuk ka ikur nga dialogu. Përvoja e deritashme e Kosovës me negociata është pozitive, duke filluar nga Rambujeja, Vjena, por edhe Brukseli”, ka thënë Thaçi.

Thaçi e konsideron të papranueshme, kushtëzimin e Serbisë për vazhdimin e dialogut, përmes heqjes së taksës.

“Dialogu ekzistues për normalizim i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian vërtet është zgjatur shumë, por tani kemi një momentum që nuk duhet humbur për ta përfunduar. Dialogu gjithmonë ka qenë i pakushtëzuar nga cilado palë. Ky ka qenë dhe duhet të mbetet ende parimi udhëheqës. Prandaj, është krejtësisht e papranueshme që Serbia e ka kushtëzuar vazhdimin e tij, duke përdorur si pretekst vendosjen e taksës ndaj produkteve të saj”, ka shkruar Presidenti.

Por kreu i shtetit thotë se duhet të respektohen këshillat e BE-së dhe SHBA-së, për heqje të taksës.

Lexo po ashtu Mogherini, pas telefonatës me Thaçin: Taksa duhet të hiqet për vazhdimin e dialogut

“Pikërisht për t’u ankuar kundër kësaj qasjeje destruktive të Serbisë, sot bisedova përmes telefonit me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini. Me këtë rast shpreha shqetësimin tonë për kushtëzimet e paarsyeshme të Serbisë, të cilat pamundësojnë vazhdimin e dialogut. Por, përkundër mirëkuptimit nga ana e saj, mesazhi ishte i qartë: “Dialogu duhet të vazhdojë dhe të dyja palët duhet të përmbahen nga veprimet e njëanshme që pengojnë vazhdimin e tij”. Prandaj, pavarësisht se mund të duket e padrejtë, ne duhet të tregohemi sërish pragmatikë dhe t’i respektojmë këshillat e BE-së dhe të SHBA-së.

Qëndrimi i BE-së dhe SHBA-së është i qartë dhe nuk lë vend për interpretime të lira. Duhet ta heqim menjëherë pretekstin që po e shfrytëzon Serbia për bllokimin e dialogut. Ky veprim demonstron përkushtimin tonë për marrëveshje paqësore dhe për më tepër, ruan dhe forcon aleancën tonë me BE-në, NATO-n dhe në mënyrë të veçantë me SHBA-në”, shkruan Thaçi./Telegrafi/

Exit mobile version