Telegrafi

Thaçi: Ahmet Krasniqi bëri mobilizimin e të gjithëve për liri

Në akademinë përkujtimore në 20-vjetorin e rënies së dëshmorit të kombit, kolonel Ahmet Krasniqi dhe dëshmorit Qazim Jakupi, presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se lufta e UÇK-së bëri që gjithë atdhetarët kudo që ishin të bashkohen pa dallime politike për pavarësi.

Thaçi në akademinë përkujtimore i nderoi me medalje presidenciale familjet Krasniqi dhe Jakupi.

“Kolonel Ahmet Krasniqi bëri mobilizimin e të gjithëve për luftën që solli lirinë e Kosovës. Duke u bazuar në mandatin tim, ndaj medaljen presidenciale për familjen Krasniqi. Po ashtu duke nderuar veprën e Qazim Jakupit për liri, i nderoj edhe familjen Jakupi me medaljen presidenciale”, tha ai.

Ndërsa, kryeministri Ramush Haradinaj tha se shqiptarët jeta i ka kthyer në shtegtarë.

“Ahmet Krasniqi sot kthehet në Prishtinë, afër presidentit Rugova”, tha Haradinaj.

Ai gjithashtu premtoi se së shpejti do të rivarroset në Prishtinë edhe Ilir Konushevci.