Telegrafi

Thaçi: Abuzimi me nxënësen e mitur, një prej ndodhive më tronditëse në Kosovën e pasluftës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka cilësuar si një prej ndodhive më tronditëse në Kosovë, abuzimin seksual me të miturën në Drenas.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Thaçi ka shkruar se në institucionet e Kosovës nuk duhet të ketë vend për abuzues.

Ai ka kërkuar nga organet përgjegjëse, që t’i sjellin abuzuesit para drejtësisë, transmeton Telegrafi.

“Rasti i abuzimit me nxënësen e mitur në Drenas është prej ndodhive më tronditëse në Kosovën e pasluftës. Në institucionet tona nuk duhet të ketë vend për abuzues të fëmijëve tanë. Kërkoj nga organet përgjegjëse që ta hetojnë me profesionalizëm rastin dhe të gjithë abuzuesit t’i sjellin para drejtësisë”, ka shkruar Thaçi.

Sipas tij, shoqëria duhet ta ngre zërin kundër abuzimeve të tilla.

Lexo po ashtu Haradinaj: Jam i tronditur nga abuzimi i policit dhe mësuesit me vajzën e mitur në Drenas

“Shoqëria jonë duhet ta ngreh zërin kundër çdo abuzimi dhe institucionet duhet me vendosmëri të punojnë për çrrënjosjen e këtyre dukurive në vendin tonë”, përfundon Thaçi postimin në Facebook.

Ndryshe, siç është raportuar, e mitura kishte shkuar në polici për të denoncuar profesorin e saj. Por, në vend të gjetjes së ndihmës, ajo ka gjetur një “padron” skllavërues policor.

Pas marrjes së deklaratës, fotografimit të zhveshur të viktimës dhe ekspertizës mjekoligjore, hetuesi V.V., nën kërcënim dhe shantazh e kishte detyruar të bënte seks me të. Pas shfrytëzimit seksual për më shumë se një vjet, vajza kishte mbetur shtatzëne. Hetuesi, e kishte detyruar vajzën ta abortonte në klinikën e gjinekologut Fehmi Ahmeti në Prishtinë.

Inspektorati Policor i Kosovës sot përmes një njoftimi për media ka konfirmuar arrestimin e një zyrtari policor, me dyshimet për kryerje të veprimeve të kundërligjshme nga një zyrtar policor.

Pas intervistimit të të dyshuarit (punonjësit policor me inicialet V.V) i njëjti është arrestuar nga Inspektorati Policor dhe me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të “dhunimit” dhe “keqpërdorimi seksual duke keqpërdorur pozitën, autoritetin apo profesionin. /Telegrafi/