Site icon Telegrafi

Tha se populli serb nuk do ta harrojë kurrë, reagime ndaj deklaratës së ambasadorit Hill për luftërat e viteve ’90-ta dhe sulmet e NATO-s

Deklarata e ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill për luftërat e viteve ’90-ta dhe sulmet e NATO-s ndaj caqeve serbe ka ngjallur reagimin e zyrtarëve të shtetit të Kosovës.

Hill duke kujtuar atë periudhë theksoi se kur diplomacia dështon rezultatet mund të jenë tragjike, gjersa duke përmendur fushatën ajrore të NATO-s ndaj caqeve serbe ka thënë se populli serb nuk do ta harrojë kurrë atë kohë të tmerrshme.

E pas kësaj deklarate ka reaguar Donjeta Miftari, këshilltare e presidentes Vjosa Osmani e cila në një postim në Twitter ka shkruar se duket që ambasadori Hill ka vendosur të rishkruajë historinë në përpjekjet e tij për ta sjellë Serbinë në ‘binarë’.

Ajo më tej thekson se në fakt Serbia nuk duhet ta harrojë atë periudhë pasi sulmet ndodhën si përgjigje ndaj veprimet të një regjimi brutal dhe gjenocidal.

Lexo po ashtu Sulmet e NATO-s ndaj Serbisë, Hill: Kur diplomacia dështon rezultatet mund të jenë tragjike, e di që populli serb nuk do ta harrojë kurrë atë kohë të tmerrshme

“Ndërhyrja nuk ishte rezultat i ‘dështimit të diplomacisë’. Serbia me të vërtetë nuk duhet ta harrojë atë, pikërisht sepse ndodhi si përgjigje ndaj veprimeve të një regjimi brutal dhe gjenocidal”, tha ajo.


Më tej këshilltarja Miftari në profilin e saj në Twitter ka paraqitur edhe fjalimin e ish presidentit amerikan, Bill Clinton i cili i ishte drejtuar qytetarëve amerikan për sulmet e NATO-s ndaj caqeve të Serbisë dhe arsyeve pse duhet të ndërhyjnë.

Ai në paraqitjen për qytetarët amerikan në atë kohë tregonte për krimet që bëheshin ndaj qytetarëve të Kosovë nga regjimi i Millosheviqit.

 

Për deklaratën e ambasadorit Hill ka reaguar edhe drejtori i Instituti EPIK, Demush Shasha.

“Si me çdo qëndrim të mirë diplomatik, nuk e di nëse duhet ta paraqes këtë si një falje historike për qytetarët serbë apo kërcënim bashkëkohor për udhëheqjen serbe. Ose ndoshta të dyja”, shkruan Shasha.

Për deklaratën e ambasadorit amerikan në Beograd ka pasur edhe reagime tjera të shumta.

Dren Selimi në një postim në Twitter shkruan “Këtu mungojnë fjalë kyçe: Millosheviq, spastrim etnik, shqiptarë të Kosovës, vëllezër Bytyqi po ashtu, qytetarë amerikanë! Gjithashtu, një nga vrasësit më gjakftohtë në Ballkan qëndron i lirë në mes të Beogradit: Guri! Një ose dy fjalë për të & Co, do të ishin të dobishme për të gjithë!”.

Ndryshe, sot ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill ka shprehur ngushëllime për të gjitha familjet që kanë humbur të afërmit e tyre gjatë luftërave të viteve ’90, duke i përfshirë siç tha ai edhe ata që kanë humbur të afërmit e tyre si rrjedhojë e fushatës ajrore të NATO-s.

Hill në një postim në Twitter duke kujtuar atë periudhë thekson se kur diplomacia dështon rezultatet mund të jenë tragjike, gjersa duke përmendur fushatën ajrore të NATO-s ndaj caqeve serbe ka thënë se populli serb nuk do ta harrojë kurrë atë kohë të tmerrshme, e as nuk duhet ta harrojë. /Telegrafi/

 

Exit mobile version