Telegrafi

Tha se masakra e Reçakut ishte trillim, një vit burgim për ish-ministrin Ivan Todosijeviq – i akuzuar për nxitje të urrejtjes

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 1 vit burgim ish-ministrin nga radhët e Listës Serbe, Ivan Todosijeviq, i akuzuar për nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mos-durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik.

Në njoftimin e Gjykatës thuhet se i akuzuari është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej një viti, i cili dënim do të ekzekutohet pas plotëfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, në afatin e paraparë ligjor.

I akuzuari I.T në periudhën kohore deri sa ishte në pozitën e ministrit të Administratës dhe Pushtetit Lokal në Qeverinë e Republikës së Kosovës, me dashje kishte nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mosdurim midis grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Republikën e Kosovës.

Në njoftim thuhet se palët kanë të drejtë ankese kundër këtij aktgjykimi në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ish-ministrit Ivan Todosijeviq i është ngritur aktakuza në korrik të 2019-së pasi më 2018 kishte quajtur trillim masakrën e Reçakut, ku në janar të vitit 1999 ishin vrarë 45 civilë nga ushtria e shtetit serb.

Ndryshe, Todosejviq ishte dënuar me dy vite burgim nga shkalla e parë më 5 dhjetor 2019, për veprën penale “Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”, mirëpo rasti ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata Supreme. /Telegrafi/