Telegrafi

Tha “Kosova e Metohi”, Duda Balje: Ishte lapsus, nuk ishte e qëllimshme

Duda Balje, deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit boshnjak një ditë më parë në një intervistë për televizionin boshnjak “Hayat” në një rast i është referuar Kosovës si “Kosovë e Metohi”.

Në këtë intervistë Balje ka thënë se serbët e Kosovës udhëtojnë pa problem në Bosnjë e Hercegovinë pasi kanë letërnjoftime të Serbisë, ndërkaq problem kanë vetëm boshnjakët e Kosovës pasi kanë letërnjoftime të Kosovës.

“…Serbët që gjenden në ‘Kosovë e Metohi’, ata kanë letërnjoftime serbe dhe shkojnë pa problem. Na prek vetëm ne, pasi boshnjakët nuk kanë letërnjoftime serbe”, ka thënë Balje për Hayat, në minutën e 30:03 të emisionit.

E një deklaratë për Telegrafin, Duda Balje tha se ende nuk e ka parë emisionin pasi ishte “live” dhe se nëse e ka thënë një gjë të tillë ka qenë lapsus dhe jo diçka e qëllimshme.

“Nëse e kam thënë ka qenë si i referohen ata, jo diçka e qëllimshme…ishte lapsus”, tha Balje.

Në intervistë për “Hayat”, përveç deputetes Duda Balje, ishte edhe zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilija Rexhepi. /Telegrafi/