Site icon Telegrafi

TF1: Shqipëria destinacioni i ri turistik në modë

Për një kohë të gjatë e shkëputur nga bota, Shqipëria pret tashmë gjithmonë e më tepër turistë, veçanërisht francezë, që joshen nga vendet magjepsëse dhe çmimet e ulëta, thuhet në një dokumentar të posaçëm të televizionit më të shikuar francez, TF1, kushtuar turizmit në Shqipëri.

”Ujëra të kristalta dhe plazhe të virgjëra rrëzë maleve. Nuk jemi në Korsikë, por në Shqipëri, një parajsë e panjohur, në veri të Greqisë. Ecim buzë Adriatikut për të shkuar drejt Qeparoit. Pikërisht këtu familja De Vorge vendosi të kalonte pushimet.

Ai laget nga plazhe ende të kursyera nga turizmi masiv. Ishte pikërisht kjo që i shtyu të vinin në Shqipëri.

Është pikërisht pjesa e plazheve të paprekura, autentike, plazhe të mëdha me guralecë dhe më në fund, me pak njerëz, që na pëlqen veçanërisht. Nëse familja ka zgjedhur Shqipërinë është gjithashtu edhe për shkak të çmimeve të ulëta”, thuhet në dokumentar.

”Çdo vakt, pjata kryesore, pijet dhe ëmbëlsirat kushtojnë 50 euro për të gjashtë pjesëtarët e familjes. Më pak se nëntë euro për person. Për sa i përket hotelit, familja zgjodhi këtë hotel me katër yje, me pishinë dhe me pamje nga deti për 80 euro nata.

“Këtu, ne mund të kemi shërbime cilësore, që sigurisht nuk mund t’i kishim në vende të tjera dhe që fëmijët tanë të mund t’i shijojnë”.

Ashtu si ata, numri i francezëve që zgjedhin Shqipërinë për të kaluar pushimet është gjithmonë e më i madh. 50 000 vetëm këtë vit.

Uji me temperaturë 27 gradë Celsius dhe guralecë. Duket sikur jemi në plazhet më të bukura të Rivierës Franceze. Me ndryshimin se në Shqipëri, turistët nuk vijnë vetëm për banja dielli ose deti, por edhe për ta vizituar atë”, shtohet në të.

”Ndër rajonet e Shqipërisë, Berati është bërë një etapë e pashmangshme për francezët. Pikërisht në këtë qytet të klasifikuar në Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s ky çift nga Lioni ka vendosur të kalojë mbrëmjen.

Bashkë më guidën ata njihen me qytetin e vjetër. Unë jam joshur nga ky peizazh dhe nga arkitektura. Çdo mur, çdo ndërtese flet për një histori popujsh të ndryshëm. Në hotelin e tyre ata takojnë këtë çift nga Bretanja, kanë rastin të pijnë lëng thane, një frut vendas, i shërbyer në gjuhën e Molierit.

Stafit i është dashur të mësojë bazat, sepse këtu, më tepër se një në katër turistë është francez. Ky vit është mbresëlënës. Kemi pritur më tepër se 500 turistë kundrejt vetëm 100 vitin e kaluar. Beranger Thibeault ishte francezi i parë qe krijoi agjencinë e tij të udhëtimit në Shqipëri.

Sot ai po viziton këtë hotel të ri në bregdet. Si gjithmonë ai do të inspektojë gjithçka, pishinën, banjën, dritaret përpara se t’ua ofrojë klientëve të tij. Ndërsa turizmi po zhvillohet, kur i bëjmë gjërat shumë shpejt, ndonjëherë nuk i bëjmë doemos shumë mirë.

Shqipëria mund të bëhet së shpejti Kroacia e re. Në mes të zhvillimit, vendi duhet t’i rezistojë betonizimit, për të mos iu errësuar qielli”, përfundon dokumentari i televizionit më të shikuar francez, TF1. /ATSH/

Exit mobile version