Telegrafi

 “Tezja Bianca” shpërndante drogë nëpër Romë, udhëhiqte bandën e specializuar në lëndë narkotike – përdornin gjuhë të koduar për të bërë “biznes”

Policia e Romës ka arrestuar Bianca Zarfati, 70-vjeçe, e njohur me nofkën “tezja Bianca”, e cila si lidere e bandës akuzohet se ka shpërndarë drogën në pjesën veriore të Romës.

Incizimet e bisedave telefonike zbulojnë se anëtarët e bandës mes vete janë marrë vesh duke përdorur një gjuhë të koduar, duke e quajtur drogën me lloje të ndryshme të ushqimeve si “shpageta apo makarona”, transmeton Telegrafi.

Kur është arrestuar “tezja Bianca”, ajo është mbrojtur duke pretenduar se thjesht kanë shkëmbyer receta kuzhine. E kjo bandë është e specializuar në shpërndarjen e drogës dhe përpunimin e saj, kurse përgjimi telefonik ka treguar se anëtarët e saj mes vete janë ankuar “se janë të rrallë ata që punojnë seriozisht, me mënyrën e vjetër”.

E përveç lideres së bandës, janë arrestuar edhe dhjetëra bashkëpunëtorë, e për shtatë prej tyre është konfirmuar se kanë marrë para të majme në baza mujore nga shteti, para këto të dedikuara për personat që nuk kanë të ardhura dhe ato i kishin për të mbijetuar.

Me një fjalë është konstatuar se kanë falsifikuar dokumente, për të përfituar jashtëligjshëm nga shteti paratë e dedikuara për të papunët. /Telegrafi/