Site icon Telegrafi

Teuta Sahatqija emërohet zëvendësministre në MPJ

Teuta Sahatqija, e cila ka qenë Konsulle e Republikës së Kosovës në New York, sot është emëruar zëvendësministre në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë ajo përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook.

Sahatqija është shprehur e lumtur që edhe në pozitën e re do të vazhdojë bashkëpunimin me diplomatët e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

“Falënderoj Kryeministrin Hoti, për besimin dhe emërimin Zv.Ministre në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporë. Mirëpres një bashkëpunim të ngushtë me Ministren Meliza Haradinaj Stublla në avancimin e agjendës së politikës së jashtme. Gëzohem që në cilësinë e re do të bashkëpunojë me diplomatët e MPJD e që vazhdon në mënyrë cilësore gjatë viteve. Do të jetë nderë për mua të shërbej Kosovës në këtë resor aq të rëndësishëm në këtë kohë sfiduese”, ka thënë ajo.

Sahatqija është shprehur se përvoja e saj e mbledhur për shumë vite në kapacitete të ndryshme e sidomos vitet e shërbimit në New York do të ngrisin vlerën e kontributit tim në këtë pozitë.

“Gjatë 4 viteve si Shefe e Misionit të RKS në Neë York kam pasur bashkëpunim të shkëlqyer me Ambasadorët e shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara, me diplomat e Konsuj të Përgjithshëm të akredituar në UN e New York. Bashkëpunimi me diasporën shqiptare në New York e SHBA nuk ishte vetëm detyrë por një krenari e kënaqësi e posaçme. Njoha njerëz të mrekullueshëm që e duan me shpirt vendin e që nuk kanë kursyer asgjë për të ndihmuar në të kaluarën dhe vazhdojnë të ndihmojnë trevat tona. Ata më bënë të ndihem në shtëpi largë shtëpisë, për të cilën gjë u jam përjetësisht falënderuese”, thotë më tej Sahatqija.

Exit mobile version