Site icon Telegrafi

Teuta Arifi: Spitali Klinik i Tetovës është përgatitur me 400 shtretër

Kryetarja e Komunës së Tetovës Teuta Arifi, thotë se pas paraqitjes së rastit të parë dhe më pas rritjes së numrit të të infektuarve me coronavirus, shtabi i krizave mori vendimet e nevojshme për të qenë të përgatitur në rast se numri i të infektuarve rritet.

Arifi thotë se Spitali Klinik në Tetovë është përgatitur me 400 shtretër dhe me kujdestari të plota.

“Masat e Qeverisë respektohen, mirëpo ka edhe nga ato raste kur forcat e policisë është dashur të ndërhyjnë për mbyllje të ndonjë lokali ose të bëjnë arrestime”, thotë Arifi.

Ajo përmes rrjeteve sociale e ka falënderuar humanistin Halil Kastrati, i cili gjatë ditës së djeshme dhuroi 150 pako ushqimore për familjet në nevojë në Tetovë.

Arifi thotë se paralelisht do të vijojë edhe aksioni i Komunës së Tetovës me bizneset vendore për të ndihmuar në këtë kohë krize.

Ndryshe, deri tani në rajonin e Tetovës janë regjistruar 8 raste me coronavirus./Telegrafi/

Exit mobile version