Pas mbledhjes së sotme të Shtabit të Krizës në Komunën e Tetovës, Teuta Arifi, tha se është “pro” lehtësimit të masave dhe jo kthimit të orës policore në Tetovë.
Sipas saj, kjo masë nuk jep rezultate, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Pas dy muajve e gjysmë nuk ka nevojë për kthimin e orës policore. Kjo masë nuk jep asnjë rezultat. Javën e kaluar në televizione kishte disa tituj nga Klinika Infektive dhe me këtë më shumë mund të binden qytetarët që janë skeptikë për ekzistencën e virusit”.
“Në këtë mënyrë, me emisione të këtilla mund në mënyrë më efikase të ngritet vetëdija tek popullata dhe kjo të sjell respektimin e masave, se sa ajo që e bën ora policore”, tha kryetarja e Tetovës, Teuta Arifi.
Përveç kësaj, ajo shpreson që Komisioni për Sëmundje Infektive do ta miratojë kërkesën e komunës për lirimin e transportit të organizuar në Tetovë dhe komunat përreth.
Ndryshe, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Tetovë me coronavirus është 292, prej tyre 136 janë shëruar ndërsa 24 kanë ndërruar jetë./Telegrafi/