Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, sot pas mbledhjes së shtabit të krizave tha se gjashtë persona janë infektuar me coronavirus. Ajo shtoi se nga gjashtë komunat në rajonin e Tetovës, vetëm në dy prej tyre nuk ka asnjë rast pozitiv.
“Jemi informuar nga përfaqësuesit e institucioneve shëndetësore se kemi gjashtë raste pozitive me coronavirus. Tre prej tyre jetojnë në komunën e Tetovës, një në Bogovinë, një në Zhelinë dhe një në komunën e Jegunocës. Spitali klinik njoftoi se posedon 400 shtretër dhe ekuipazhe për raste të reja të mundshme. Aktualisht në Komunën e Tetovës kemi 235 persona në izolim dhe 64 persona janë në karantinë në disa hotele në Kodrën e Diellit”, tha Teuta Arifi.
Ajo u bëri thirrje bankave të gjejnë mënyra për të zvogëluar turmat e qytetarëve para objekteve të tyre.
Ajo tha se është bërë dezinfektim i të gjithë qytetit si dhe fshatrave Poroj, Xhepçisht, Reçicë e Madhe dhe e Vogël, si dhe në Kodrën e Diellit. Arifi tha se mbetet të dezinfektohen edhe fshatrat e malësisë, si dhe Saraqinë dhe Falisht./Telegrafi/