Site icon Telegrafi

Tetovë, sot thuhen fjalët përfundimtare për zjarrin në Spitalin Modular

Në Gjykatën Themelore në Tetovë sot duhet të mbahen fjalët përfundimtare të Prokurorisë dhe të mbrojtjes së të akuzuarve, të cilët akuzohen për disa vepra penale lidhur me zjarrin në spitalin modular në shtator të vitit 2021, ku humbën jetën 14 persona.

Procedura e provave në procesin gjyqësor ka përfunduar me dëshmitarët e fundit të cilët janë dëgjuar më 6 prill, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Në seancën e kaluar, pas përfundimit të dëshmive, gjyqtari Jordan Velkovski pyeti avokatët nëse të akuzuarit do të dëshmojnë, për të cilën mbrojtësit u përgjigjën se të akuzuarit nuk do të dëshmojnë.

Ish-drejtorët, Florin Besimi dhe Artan Etemi, akuzohen për veprën penale “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”, ndërsa mjeku Boban Vuçevski për “mosrespektim të rregullave shëndetësore gjatë epidemisë”.

Spitali klinik si person juridik akuzohet për dy vepra, së pari për “shkaktim të rrezikut publik” dhe “mosrespektim të rregullave shëndetësore gjatë epidemisë”.

Në fillim të gjykimit ata theksuan se e kuptojnë akuzën, por se nuk ndihen fajtorë. Gjyqi filloi në dhjetor të vitit 2022./Telegrafi/

Exit mobile version